Kupa e Maqedonisë në futsal, Shkupi në finale përballë Velesit

Shkupi dhe Velesi do të luajnë në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë në futsal, njofton “infOSport.mk”. Dy skuadrat më të mira të futbollit në palestër në vendin tonë me meritë u kualifikuan për në finalen e madhe, pasi sonte eliminuan Zhelezarecin, gjegjësisht Crna Rekën.

Shkupi në palestrën “Rasadnik” në Kisella Vodë mundi kampionët në fuqi dhe njëherit fituesit e vitit të kaluar të Kupës, Zhelezarecin me rezultatin 2:0, me nga një gol të shënuar në secilën pjesë.

Ishte Orhan Ibishi, ai që shënoi golin e parë për “bardhekaltërit” nga Çairi, ndërkohë golin e dytë, me të cilin Shkupi preu biletën për në finalen e madhe e realizoi Erol Dalip.

Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të zhvilluar në Kavadar, Velesi bindshëm me rezultatin 8:1 mundi Crna Rekën.

Finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë në program është me datë 27 maj dhe e njëjta do të zhvillohet në Strumicë.

Leave a Reply