Juventus Serava u mund nga Ciko, Shkupi nesër ndaj SEEU

Juventus Serava ka pësuar disfatë 7:4 në transfertën në Gjevgjeli ndaj Ciko, në kuadër të javës së parafundit në elitën e futsalit vendor për sezonin 2016/2017 që mbyllet javën e ardhshme, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i ndeshjes ishte fatal për “bardhezinjtë” nga Serava të cilët pranuan 3 gola të shpejtë, që më pas kah fundi i pjesës së parë të konsolidojnë rradhët e tyre kur Mervan Osmani arriti që të shënojë golin e parë, për të zbutur epërsinë e vendasve, të cilët megjithatë pjesën e parë e mbyllën me tre gola epërsi, 4:1.

Në pjesën e dytë krejtësisht një lojë tjetër u shfaq në parket nga ana e lojtarëve të Juventus Seravës, të cilët në këtë pjesë ishin të barabartë, duke shënuar 3 gola, po aq sa shënuan edhe vendasit.

Mervan Osmani realizoi edhe një gol tjetër në pjesën e dytë, ndërsa në listën e golashënuesve për skuadrën shkupjane në këtë transfertë u regjistruan edhe Isa Zekiri dhe Enez Jusufi.

Juventus Serava me 23 pikë renditet në pozitën e 7-të dhe e ka të siguruar mbijetesën që më parë, njëjtë sikurse edhe Ciko.

Të shtunën në program janë dy ndeshje mjaft interesante, ku lideri aktual, Shkupi udhëton drejt Tetovës për tu përballur me SEE Universitetin, derisa  rivali i tyre kryesor për titullin e kampionit, Velesi në teren vendas do të përballet me kampionët në fuqi të Zhelezarecit.

Të enjten në Prilep, Hedisi me rezultatin 9:2 mundi Ilirët, skuadër kjo e cila me fitore në ndeshjen e javës së fundit në Kumanovë ndaj Cikos do të siguronte mbijetesën, derisa në atë rast do të ishte ekipi i Sasa-s nga Makedonska Kamenica që do të humbte statusin e skuadrës elitare.

Leave a Reply