ZYRTARE, Atletik Bilbao ndahet me  Valverde

Atletik Bilbao edhe zyrtarisht ka njoftuar se Ernesto Valverde nuk është më trajner i tyre, dhe se ai është i lirë që të hyjë në bisedime me Barcelonën për postin e trajnerit.

Kontrata e strategut spanjoll me skuadrën baske përfundoi, njëjtë sikurse edhe e trajnerit të Barcelonës, Luis Enrike, i cili largimin e tij nga “Kamp Nou” e kishte paralajmëruar që gjatë muajit mars.

“Ernesto Valverde nuk do të vazhdojë të udhëheq Atletik Bilbaon edhe gjatë sezonit. Ai dhe presidenti Hoze Urutia do të dalin me konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme në “San Mamesh” – thuhet në kumtesën e shkurtë të publikuar nga klubi bask.

Presidenti i Barcelonës, Zhosep Maria Bartomeu do të bëjë publik emrit e trajnerit të ri të hënën e ardhshme, ndërsa me shumë gjasa ai do të jetë Valverde, i cili do të zëvendësojë Luis Enriken në postin e trajnerit te skuadra “katalunase”.

53-vjeçari Valverde, një ish futbollist i Barcelonës, këtë sezon me Atletik Bilbaon u ndalën në pozitën e 8-të. Ishte kjo hera e dytë që Vvalverde drejtoi skuadrën nga “San Mamesh”, pas asaj periudhe nga viti 2003-2005.

Valverde gjatë karrierës së tij si trajner, udhëhoqi edhe klubet si Espanjoll, Olimpijakos, Valencia dhe Viljareal.

Leave a Reply