FSHF kundër vendimit të UEFA-s, që ndeshja Maqedoni-Shqipëri të luhet në Strumicë

Maqedoni-Shqipëri është vendosur të luhet në stadiumin “Mladost” të Strumicës, edhe pse ai nuk i plotëson kushtet. UEFA ka menduar se atje siguria mund të jetë më e lartë, ndërkohë që kjo ka hasur në kundërshtime nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka argumentuar se vendimi nuk është i drejtë, e gjitha në rrugë zyrtare.

Këtë e ka shprehur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë të dhënë në Supersport.

“Ne e kemi kundërshtuar me forcë këtë vendim. Sipas nesh, ai është një stadium i papërshtatshëm. Nuk ofron kushte sigurie dhe nuk na bind ideja që në Strumicë qeveria dhe federata maqedonase japin më shumë siguri sesa në Shkup”.

“Në kryeqytetin maqedonas ka më shumë siguri. Luhet në një stadium të madh, me siguri perfekte. Aq më shumë që do të kishte më shumë spektatorë nga të dyja palët. Por nuk është kompetenca jonë dhe në fund do të pranojmë vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s”.

“Me rrugë zyrtare ne kemi kundërshtuar spostimin e ndeshjes në këtë stadium, që kur gjërat ishin ide. Na ka ardhur një përgjigje që ndeshja do të luhet në atë stadium nëse Maqedonia plotëson disa kushte të vëna. Ne jemi ankuar tek presidenti i UEFA-s, me anë të një letre ku japim argumentet tona se Strumica nuk ofron siguri, qoftë për kapacitetin, ekipin dhe tifozët”, është shprehur Duka në lidhje me çështjen e stadiumit ku Kombëtarja shqiptare do të jetë mysafire në ndeshjen e 05 shtatorit ndaj Maqedonisë.

Leave a Reply