Izair Emini: “Kukësi më ka ngarkuar kontratë të paligjshme”

Rinovimet automatike të kontratave po hapin shumë probleme te Kukësi, teksa së fundmi të gjithë futbollistët që afrohen në ekip po i shohin mirë klauzolat, ndërsa me ata që mbyllën sezonit, duket se do të ketë probleme gjyqësore.

Një ndër lojtarët që ka probleme është sulmuesi Izair Emini, i cili ka përsëritur se është lojtar i lirë dhe kërkon të ikë.

“Unë jam lojtar i lirë, pasi kontrata e rregullt që kam firmosur me FK Kukësin më ka përfunduar me skualifikimin në kupat e Europës. I kam kërkuar drejtuesve të klubit që të më japin lejen e kalimit, pasi dëshiroj të largohem nga Shqipëria, sepse kam probleme familjare. Pastaj, arsyeja tjetër është se e shoh veten diku tjetër, larg nga klubi i Kukësit”, ka thënë ndër të tjera në “Panorama Sport” sulmuesi nga Tetova. Dëshira e tij është që gjërat të mos shkojnë në instanca më të larta, siç janë UEFA dhe FIFA.

“Për gjithçka çka unë kam bërë te Kukësi, nuk duhet që gjërat të shkojnë në instanca të tjera, por të zgjidhen me mirëkuptim. Personalisht i kam rezauruar të gjitha thirrjet dhe bisedat me krerët e klubit, ndërsa ata më kanë ngarkuar me një kontratë tjetër që nuk është e ligjshme dhe as e moralshme. Nëse nuk do merremi vesh me mirëkuptim, do e ankimoj çështjen në FIFA nëpërmjet zyrës juridike që kam kontraktuar, por shpresoj mos të shkojë deri aty çështja, pasi në fund do vërtetohet kush ka të drejtë” – thotë Emini, i cili pjesë e Kukësit është që nga janari i vitit 2016-të.

Ai brenda kësaj periudhe të kaluar te skuadra kampione e Shqipërisë zhvilloi plotë 53 ndeshje, duke realizuar edhe 18 gola. Gjithashtu ai hyri në historinë e klubit nga verilindja e Shqipërisë, duke rrëmbyer tre titujt kryesor, titullin e kampionit, Kupën si dhe Super Kupën e Shqipërisë.

Leave a Reply