Nderim Nexhipi flet për ndeshjen Maqedoni-Shqipëri

Ish futbollisti i Shkupit, Nderim Nexhipi ka folur për takimin e sotshëm eliminatorë midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet në Strumicë.

Sipas tij kjo përballje do të jetë paksa më e vështirë për kombëtaren shqiptare, të cilën megjithatë e sheh si favorite për të marrë fitore.

“Për mendimin tim, do të jetë një superndeshje edhe pse te Maqedonia janë disi më në eufori, pas fitores befasuese do të thosha që kanë arritur në Izrael. Kështu që Maqedonia do të synojë fitoren e radhës. Do të jetë një ndeshje e vështirë për Shqipërinë, pasi për fatin e keq luhet në stadiumin e Strumicës. Megjithatë unë personalisht shoh Shqipërinë si favorite në këtë përballje” – u shpreh Nderim Nexhipi në prononcimin e tij për “Panorama-Sport”.

Ai është i mendimit që nëse kjo sfidë do të zhvillohej në Shkup, Shqipëria do të arrinte një fitore më të lehtë

“Nëse sfida do të ishte luajtur në Shkup, Kombëtarja shqiptare do të fitonte lehtë. Por, në Strumicë gjërat do të jenë më të vështira, megjithatë mendoj se falë eksperiencës që kanë futbollistët, kuqezinjtë do të arrijnë të marrin një fitore. Kjo, pasi Maqedonia është në një moment të rinovimit të ekipit kombëtar dhe luan me shumë lojtarë nga Kombëtarja e 21- vjeçarëve” – kishte thënë Nderim Nexhipi për “Panorama-Sport”.

Leave a Reply