Taulant Ismaili i kënaqur me transferimin te Feniksi i Drenasit

Sezonin e ri futbollistik, një ndër lojtarët më të mirë të futbollit në palestër në vendin tonë, Taulant Ismaili, do ta vijoj në Kosovë. Tashmë ish futbollisti i Velesit ditë më parë u zyrtarizua si pjesë e Feniksit nga Drenasi, me të cilën skuadër shpreson që të dalë kampion. Dhe pikërisht për këtë qëllim drejtuesit e kësaj skuadre kanë transferuar këtë super lojtar, që njëherit është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në futsal.

“Jam shumë i kënaqur me këtë transferim, pasi kam kaluar në një klub me traditë shumë vjeçare dhe me lojtarë shumë cilësorë dhe me përvojë. Kaluam vite të mrrekullueshme te klubi i Zhelezarecit duke arritur mes 6 skuadrave më të mira në Europë, poashtu kaluam çaste të mira edhe në ekipin e Velesit, por tash erdhi koha për një aventurë dhe sfidë të re, pasi që po investohet shumë në futsalin e Kosovës. Shpresojmë në suksese dhe tituj të tjerë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, shkupjani Taulant Ismaili.

Përveç Ismailit te Feniksi u transferuan edhe Ferid Agushi dhe Dragan Petroviç, i cili së fundmi ishte pjesë e Futsal Shkupit në garat evropiane në paraeliminatoret e Ligës së Kampionëve Evropian. Që të tre me skuadrën nga Drenasi kanë nënshkruar kontrata një vjeçare.

Leave a Reply