Përforcimet e reja te FC Shkupi? Për “infOSport.mk” rrëfehet nënkryetari, Bunjaku

Shkupi gjatë ditës së djeshme konfirmoi blerjen e parë të merkatos së janarit, duke arritur akordin me futbollistin e Pelisterit, Bllagoja Ljamçevski, njofton “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për një futbollist kampion, i cili pas vetes ka tre tituj kampion me Vardarin dhe dy trofe në kuadër të Kupës së Maqedonisë (një me Makedonija Gj.P dhe një me Metalurgun). Sipas nënkryetarit të FC Shkupit, Omer Bunjaku, ky është i pari nga një kalibër i tillë, pasi kampion të tjerë pritet që në Çair të arrijnë ditëve në vijim.

“Kjo javë do jetë shumë interesante kur janë në pyetje përforcimet e reja në skuadrën tonë. Jemi pranë përfundimit të marrëveshjeve me disa emra të mëdhenj. Kemi paraparë të angazhojmë edhe 2-3 futbollistë të rinj, mirëpo nuk ngutemi, pasi që të gjithë jemi duke i analizuar me shumë kujdes. Si ekip kemi përpiluar një projekt të madh, të cilin projekt futbollistët me të cilët jemi në kontakte e sipër e kanë besuar” – tha enkas për “infOSport.mk” nënkryetari i FC Shkupit Omer Bunjaku.

Ai shtoi se me përpikshmëri janë duke i rishikuar edhe kërkesat e trajnerit Ardian Nuhiu, për të përforcuar skuadrën pikërisht në ato pozita që ai ka nevojë.

“Kemi marrë me shumë seriozitet gjitha kërkesat e trajnerit tonë se në çfarë pozicione i duhen futbollistë të rinj, me qëllim që në skuadër të sjellim përforcimet e duhura. Besoj se shumë shpejtë në skuadrën tonë do arrijë një mbrojtës, një mesfushorë dhe një sulmues” – deklaroi Bunjaku.

Shkupi prej sot ka vijuar përgatitjet dimërore në ambient të hapur, edhe atë në një nga stadiumet e lagjes së Gjorçe Petrovit, aty ku do përfundojë fazën e parë, para nisjes për në Antalia të Turqisë me datë 22 janar, ku skuadra “bardhekaltër” ka caktuar edhe 5 ndeshje kontrolluese me kundërshtarë si, Karabag (Azerbajxhan), FC Stal Kamianske (Ukrainë), Çernomorets Odesa (Ukrainë), Csákvári TK (Hungari) dhe Anzhi (Rusi).

Leave a Reply