Burhan Aliji nesër prezantohet te Vëllazërimi!

Vëllazërimi i Kërçovës godet sërish në merkato. Burime të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se skuadra kampione e dimrit në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim, gjatë ditës së nesërme pritet të prezantojë një ndër futbollistët shqiptarë më me përvojë në futbollin vendor, Burhan Aiji.

Kumanovari 28-vjeçar së fundmi ishte pjesë e skuadrës shkupjane të EuroMilk, ndërsa gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht ka ndërprerë bashkëpunimin me këtë skuadër, duke qenë një futbollist i lirë. Një gjë të tillë kanë shfrytëzuar në maksimum drejtuesit e skuadrës kërçovare, të cilët thuhet se kanë bindur Alijin, që të pranojë ofertën e tyre.

Burhan Aliji te Vëllazërimi pritet ti bashkohet ish bashkëlojarit të tij te EuroMilku, Gent Bislimit, i cili ditë më parë i tha “PO” skuadrës kërçovare.

Ai gjatë karrierës së tij ka zhvilluar më shumë se 70 ndeshje në Ligën e Parë, ndërsa gjithashtu ka eksperiencë edhe nga ndeshjet eliminatore të Liga Europa me Milanon, Teteksin dhe Shkëndijën.

Përveç këtyre tre klubeve të lartëpërmendura, Aliji gjatë karrierës së tij gjithashtu ka veshur edhe fanellat e skuadrave të Bashkimit,  Dritës së Bogovinës, Gistivarit si dhe Lirisë së Prizenit në Superligën e Kosovës.

Leave a Reply