Leganesi turpëron “Mbretërit” e Botës, Real Madridin (VIDEO)

Leganesi ka bërë surprizën më të madhe në kuadër të ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Spanjës, duke eliminuar kampionët e Realit të Madridit, njofton “infOSport.mk”. Është kjo një goditje e madhe për “mbretërit” dhe trajnerin Zinedin Zidan, që tashmë nuk mund të llogarisë në asnjë trofe në futbollin spanjoll.

Duke pasur parasysh diferencën prej 19-të pikëve të Barcelonës në kampionat, trofeu i Kupës së Spanjës ishte shpresa e vetme e “mbretërve”, të cilët tashmë do të duhet të përqëndrojnë forcat e tyre në Ligën e Kampionëve.

“Mbretërit” e Botës sonte në Santiago Bernabeu pësuan disfatë 1:2 nga Leganesi, skuadër kjo e cila vetëm falë golave më shumë të shënuar në teren mysafir, siguruan një vend për në gjysmëfinale.

Rikujtojmë në ndeshjen e parë Reali kishte shënuar fitore minimale 0:1, ndërsa sonte goli i Benzemas u tregua jo i mjaftueshëm, pasi Leganesi shënoi dy të tillë me anë të Erasos (31’) dhe Gabriel (55’). Është kjo fitorja më e ëmbël për ekipin e Leganes, që në këtë mënyrë u bashkohet skuadrave të Seviljas dhe Valencias, që sonte në ndeshjen e mëhershme arriti që të eliminojë Alavesin, edhe atë vetëm pas ekzekutimit të penaltive.

Udhëtuesi i fundit për në ndeshjet gjysmëfinale do të mësohet të enjten në mbrëmje, kur  Barcelona në “Kamp Nou” do të mundohet që të përmbys fitoren minimale të Espanjollit nga ndeshja e parë.

Leave a Reply