Ish portieri i FC Shkupit, Nikoloski, emërohet drejtor sportiv te Pobeda

Mbrëmë skuadra e Pobedës përmes një kuvendi të jashtëzakonshëm ka caktuar drejtuesit e rinj të saj, të cilët do të udhëheqin me skuadrën në vazhdim të sezonit në LPFM. Kësisoj në këtë kuvend u vendose që Irena Jakimovska të luaj rolin e ushtrueses së detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Nebojsha Stojkoviç u emërua si president i klubit, teksa legjenda e FC Shkupit (ish Sloga Jugomagnatit), Jane Nikoloski u emërua në postin e drejtorit sportiv.

Ai nuk e fshehi kënaqësinë që sërish do të jetë pjesë e Pobedës, ekipit të qytetit të tij të lindjes, ku një kohë luante edhe rolin e trajnerit.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që pas një kohë më të gjatë kthehem në klubin tim amë, në një funksion që kërkon shumë punë dhe sakrificë. Mendoj se me përvojën time si lojtar, mund të ndihmojë shumë në këtë funksion. Pobeda është një klub me traditë, klub që meriton të jetë i renditur shumë më lartë se nga pozita aktuale që ndodhet. Ne do të mundohemi që një gjë të tillë të arrijmë në një periudhë sa më të shkurtë. Sa i përket kuadrit të futbollistëve, me siguri që do të sjellim futbollistë cilësor, të cilët do të ngrisin kualitetin e lojës sonë dhe se Pobeda në stinorin pranveror do të jetë e barabartë me skuadrat më kualitative në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Shpresoj se kuadrin  e plotë të futbollistëve do ta kemi gati për shumë shpejtë kohë. Në 4-5 ditët në vijim do të jemi të kompletuar dhe shefi i stafit teknik në disponim do të ketë ekipin e plotë, të cilin do të duhet ta përgatitë për stinorin pranveror” – tha ish portieri i përfaqësueses së Maqedonisë, Jane Nikoloski.

Pobeda pjesën e parë të sezonit në elitën e futbollit vendor e mbylli në pozitën e 7-të me 19 pikë të tubuara, ndërsa sezonin pranveror do ta hap me ndeshjen derbi të Pelagonisë kundër Pelisterit.

Leave a Reply