Çfarë po ndodh me Çelzin (VIDEO)

Kampioni në fuqi i Anglisë, Çelzi vazhdon të mbetet në pozitën e katërt në Premierligë, pasi mbrëmë në ndeshjen e javës së 26-të pësoi një disfatë të rëndë në transfertën ndaj Uatfordit, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Antonio Konte u mundën me rezultatin 4:1, duke pësuar në këtë mënyrë edhe disfatën e dytë të njëpasnjëshme në elitën e futbollit anglez, pas asaj ndaj Burnmaut, kur në “Stemford Brixh” u mundën me rezultatin 0:3.

Në disfatën e mbrëmshme ndoshta një rol të veçantë luajti edhe ndëshkimi i Bakajokos me karton të kuq në minutën e 30-të, kur rezultati ishte 0:0.

Ndryshe Deeney zhbllokoi takimin me 11-metërsh në minutën e 42-të, por Çelzi edhe pse në inferioritet numerik, në minutën e 82-të arriti që të barazojë rezultatin me anë të belgut, Eden Hazard.

Fundi i takimit ishte i çmendur për vendasit, që brenda 7 minutash shënuan tre gola me autorë Janmaat, blerja më e re Deulofeu dhe Pereyra.

Në radhët e Çelzit në takimin e mbrëmshëm debutoi edhe sulmuesi francez, Olivie Zhiru, i cili megjithatë pati një debutim të hidhur, bazuar në rezultatin përfundimtarë të takimit ndaj Uatfordit.

Për Çelzin ishte kjo disfata e 6-të këtë edicion, me ç’rast kjo skuadër mbetet në pozitën e katërt me 50 pikë, teksa Uatfordi tashmë numëron 30 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 11-të.

Leave a Reply