Golat dhe momentet më interesante nga ndeshja në Tetovë (VIDEO)

Shkëndija ka mundur minimalisht 1:0 Akademia Pandevin në takimin e xhiros së 21-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Të vetëdijshëm se me triumf diferenca në krye të renditjes do të shkonte edhe në + 11-të pikë ndaj rivalëve të Vardarit, përcaktimin e “kuqezinjëve” për lojë ofenzive nuk e pengonte as bora e vazhdueshme që mbuloi terrenin në Tetovë pas vetëm disa minutave lojë.

Shkëndija e dominoi takimin dhe bëri ndeshjen të ngjajë në  trafik njëkahësh, mirëpo në kushte të papërshtatshme skuadra humbi shumë raste para portës kundërshtare, përfshirë këtu edhe dy penalti me Hasanin në të parën dhe Ibraimin në të dytën.

Ekipi tregoi karakter edhe përkundër faktit se nga minuta e 21-të luajti me një futbollistë më pak në fushë pas përjashtimit të Fazlagiç, duke rëmbyer kështu fitoren me golin e kapitenit Hasani në minutën e 79-të. Vlen gjithashtu të ceket se në këtë ndeshje arbitri kryesor me të kuq në minutën e 53-të largoi edhe futbollistin mysafir Çeshmexhiev, ashtu që 37 minutat e fundit të takimit u zhvilluan me forca të barabarta në fushë.

Leave a Reply