PSZH demoloi Marsejën edhe pa Nejmarin (VIDEO)

Paris Sen Zhermeni brenda vetëm tre ditëve edhe për herë të dytë ka mundur Olimpikun e Marsejës, edhe atë me rezultatin identik, 3:0, njofton “infOSport.mk.

Pas fitores në kuadër të javës së 27-të në “Ligue 1”, mbrëmë skuadra e trajnerit Unaj Emeri, mundi skuadrën nga “Velodrom” në kuadër të ¼ së finales së Kupës së Francës, duke siguruar në këtë mënyrë një vend për në ndeshjet gjysmëfinale.

Më i merituari për këtë fitore ishte argjentinasi, Anhel Di Maria, i cili edhe njëherë tjetër bëri një paraqitje të shkëlqyeshme, duke zëvendësuar në mënyrë të denjtë brazilianin Nejmar, i cili ishte dëmtuar pikërisht në ndeshjen ndaj Marsejës të dielën, me ç’rast tashmë edhe zyrtarisht do ti nënshtrohet një operimi në Brazil.

Di Maria realizoi dy gola, nga një në secilën pjesë, teksa një gol tjetër kishte shënuar tashmë i zakonshmi, Edinson Kavani.

Në ndeshjen tjetër çerekfinale të zhvilluar mbrëmë Strazburgu u eliminua befasisht nga skuadra e Shambli, një vend që të martën për në këtë fazë kishte siguruar edhe Lez Erbier, ndërkohë gjysmëfinalisti i fundit do të diskutohet sonte midis Kaen dhe Lion.

Leave a Reply