Osmani flet para ndeshjes me Vardarin: S’na intereson me çfarë ekipi luajnë ata

Me fillim në ora 14:00 Shkëndija sot në Tetovë do të mirëpret Vardarin, në ndeshjen e vlefshme për turin e kthimit çerekfinal të Kupës së Maqedonisë. Ndeshja e parë e zhvilluar në arenën “Filipi i Dytë” ishte mbyllur me barazimin 1:1, ashtu që gjithçka duhet të vendoset sot, edhe pse skuadrës tetovare do i konvenonte edhe një barazim pa gola.

Vardari ka paralajmëruar se në këtë përballje do të luaj me ekipin e juniorëve, por trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani deklaroi se nuk i intereson se me cfarë formacioni do të luaj rivali i tyre. Madje, sipas tij do të ishte gabim nëse ndikohen nga veprimet e të tjerëve.

“Shkëndija është e gatshme për të dhënë më të mirën kundër çdo ekipi që del përpara në drejtim të tentimit për të realizuar objektivat. E them shumë sinqerisht se neve nuk na intereson fare se me cilin ekip do të luajë kundërshtari, pasi objektivi dhe qasja mbeten të njëjtë. Gabimi më i madh që mund të bëjmë është të ndikohemi nga veprimet e tjerëve! Kemi dhënë shumë mund për të qenë në këtë pozitë ku jemi tani dhe nuk do të lejojmë të dalim jashtë kornizave të udhëtimit tonë drejt objektivave sezonal. Prandaj gjithë këtë periudhë me futbollistët kemi punuar me përqendrim maksimal për të qenë sa më të përgatitur dhe të dalim në fushë të japim atë që pritet nga ne. Revanshin e Kupës e shikojmë si sfidë serioze, por me vetëbesim për të qenë në nivelin tonë që do të na sjellë rezultatin e dëshiruar për kualifikim në gjysmëfinale të Kupës”, – deklaroi trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Ndeshja e kthimit çerekfinale, Shkëndija-Vardar do të gjykohet nga referi Aleksandar Stavrev nga Shkupi.

Leave a Reply