PSZH nxjerr inatin te Metzi, fiton 5:0 dhe vendos rekord (VIDEO)

U kritikuan jashtë mase pas eliminimit në 1/8-at e finaleve të Championsit nga Reali i Madridit, edhe pse kishin shpenzuar mbi 400 mln euro gjatë merkatos verore të vitit të kaluar, e jo vetëm nga opinionistë të huaj, por edhe nga futbollistë në gjirin e tyre.

Por ajo që ka ikur nuk kthehet më, e për Parisin duket se mund të gjendet “ngushëllim” të paktën me kampionatin francez, aty ku kryeson bindshëm nga Monaco e vendit të dytë, e që këtë të shtunë sigluan një tjetër fitore të thellë, 5-0, ndaj një kundërshtari “inekzistent” në letër, Metzin e vendit të fundit të klasifikimit.

Meunier, dy herë Nkunku dhe Mbappe ishin autorët e “pokerit” të shënuar brenda 45 minutave të para të ndeshjes së vlefshme për javën e 29 të Ligue 1, ndërsa në pjesën e dytë shënoi emrin e tij mes golashënuesve edhe mbrojtësi brazilian Thiago Silva.

Ka qenë një triumf rekord për vendasit që kanë realizuar 144 gola në këtë sezon, një rekord për klubin. Parisi është i shkëputur me 14 pikë më shumë nga ekipi i Principatës, kur kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur.

Leave a Reply