Super Juventus Serava demoloi Kratovën, shënon edhe portieri Idrizi

Juventus Serava vazhdon serinë e ndeshjeve pa humbje në elitën e futsalit vendor. Pas barazimit 4:4 në transfertën ndaj Zhelezarecit javën e kaluar, sonte “bardhezinjtë” nga Serava si vendas në palestrën “Enver Idrizi” në Çair me rezultatin 10:5 mundën ekipin e Kratovës, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo edhe një ndeshje tjetër e dominuar në tërësi nga ana e djelmoshave “bardhezi”, të cilët në asnjë moment nuk e diskutuan fitoren. Madje ata disa minuta para fundit të takimit avansonin me rezultatin 10:2, por që në fund lejuan që mysafirët të shënojnë 3 gola të njëpasnjëshëm vetëm brenda dy minutave.

Reprezentuesi i Maqedonisë U19, Jakup Ramadani ishte lojtari më efikas me tre gola të shënuar, Eljesa Neziri dhe Berat Ramadani shënuan nga dy gola, teksa nga një gol realizuan edhe Pajtim Rexhepi, Osman Mustafa si dhe portieri Burhan Idrizi, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.

Në anën tjetër me fanellën e Kratovës shkëlqeu Aleksandar Stojanovski, i cili realizoi “hat-trik”, ndërkohë nga një gol shënuan Boban Naçkovski dhe Valentino Mihajllovski, transmeton “infOSport.mk”.

Falë kësaj fitore Juventus  Serava tashmë renditet në pozitën e 3-të me 28 pikë, një pikë më shumë se Zhelezareci, që ndeshjen e saj të javës së 22-të do ta zhvillojë kundër Astibos nga Shtipi.

Leave a Reply