Osmani: Duartrokitjet e publikut vendas dëshmojnë dominimin tonë ndaj Pelisterit

Shkëndija vazhdon ecurinë e sigurtë drejt titullit kampion në LPFM, teksa sot kishin një tjetër performansë prej kampioni duke deklasuar 6:0 Pelisterin midis Manastirit. Ishte kjo fitorja e 22-të sezonale për skuadrën e trajnerit Qatip Osmani pas 27 xhirove, ku 15-të ndeshje ka fituar pa pranuar gol.

Falë fitores së sotme, Shkëndija tashmë shkon 20-të pikë larg vendit të dytë, që mbahet nga Vardari,  ndërsa në performansën e shkëlqyeshme dhe goleadën e sotme spikati mirënjohja ndaj “kuqezinjëve” nga ana e publikut të Manastirit, që duartrokitën futbollistët e Shkëndijës.

“Lojë dominuese, lojë e bukur që rezultoi me 6 gola. Sigurisht se çdo fitore është e mirëseardhur, por në gëzon mënyra se si arritëm fitoren e sotme. Shënuam 6 herë përmes aksioneve të bukura, gjë që tentojmë ta bëjmë gjithmonë. Kur luan në mënyrë kaq bindëse, don s’don edhe publiku do të pajtohet dhe duartrokitjet janë mirënjohje për paraqitjen tonë. Më gëzon fakti se Shkëndija shënon edhe me lojtarë tjerë përveç atyre që jemi mësuar të shënojnë”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani pas përfundimit të ndeshjes në Manastir.

Leave a Reply