Nejmar: Zviceranët ishin të ashpër ndaj meje, arbitrat të kenë më shumë kujdes

Ylli i Kombëtares së Brazilit, Nejmar ka kërkuar nga arbitrat të marrin masa ndaj futbollistëve që bëjnë ndërhyrje të ashpra ndaj tij.

Sulmuesi i Paris Sen Zhermenit ishte futbollisti më i fauluar në një Botëror që nga viti 1998, pasi në ndeshjen me Zvicrën ai u ndal në mënyrë të palejueshme plot 10 herë. Rekordin si futbollisti më i fauluar e mbanë, Alan Shirer, i cili në Botërorin e vitit 98’ ishte fauluar plotë 11 herë brenda një ndeshjeje.

Braziliani është ankuar se ndërhyrjet ndaj tij kanë qenë të ashpra dhe i kanë shkaktuar dhimbje dhe ka kërkuar nga arbitrat të marrin masa ndaj futbollistëve që luajnë në atë mënyrë.

“Më goditën disa herë dhe kisha dhimbje, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pasi të ftohet trupi, fillon të ndjesh më shumë dhimbje, por gjithçka është në rregull”, ka thënë Nejmar.

“Mua më takon të luaj futboll, ndërsa arbitrat duhet të merren me punët e tjera. Është normale të faulohesh, por nëse shkon numri kaq i madh i faulave atëherë duhet t’u kushtosh vëmendje futbollistëve”, – ka theksuar braziliani.

Një ndër futbollistët që kishte ndërhyrë më së shumti ndaj Nejmar, ishte futbollisti shqiptarë, Valon Behrami. Madje ky i fundit kishte marrë kërcënime me vdekje nga ana e tifozëve brazilian, të cilët nuk mund të besojnë që kombëtarja e tyre nuk arriti që të nis Botërorin në Rusi me fitore.

Brazili dhe Zvicra mbrëmë në ndeshjen e vlefshme të grupit “E” barazuan me rezultatin 1:1.

Leave a Reply