Në mungesë të Hasanit, ja kush është futbollisti më i shtrenjtë në Maqedoni

Portali i njohur gjerman që merret me merkaton dhe kartonët e futbollistëve të ndryshëm, “Transfermarkt.de”, ka bërë përditësimet e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, duke shtuar dhe ulur vlerat e futbollistëve të ndryshëm që militojnë në futbollin tonë vendor, njofton “infOSport.mk”.

Megjithatë përditësimi nuk ka qenë i plotë, pasi ai llogarit ende në renditjen e futbollistëve më të vlefshëm të LPFM-së, emra të cilët madje edhe i kanë dhënë lamtumirën kampionatit elitar.

Kështu, futbollisti me vlerën më të lartë të kartonit vazhdon të mbetet Ferhan Hasani. Kapiteni i Shkëndijës, i cili nuk pranoi të vazhdojë kontratën me kampionët e vendit sipas “Transfermarkt”, tashmë kushton plotë 1 milion euro. Rikujtojmë emri i Hasanit është i lidhur ngushtë me një kalim të mundshëm në Superligën turke, ndërsa duke parë fuqinë financiare të skuadrave nga elita e futbollit turk, është më se evidente se Hasani do të përfitojë një pagë të majme.

Pas ish kapitenit të Shkëndijës, renditet një tjetër ish. Fjala është për Darko Velkovskin e Vardarit, i cili i është bashkuar skuadrës kroate të Rijekës, ndërsa vlera e tij sipas “Transfermarkt” kap vlerën e 800 mijë eurove.

Pas tij renditet armeni i Vardarit, Tigran Barsegian, i cili për momentin mban epitetin e kampionit, kur është vlera e futbollistëve aktual që janë pjesë e LPFM-së. Kartoni i Barsegian vlerësohet në 750 mijë euro, ndërsa pas tij  renditet mbrojtësi i Shkëndijës dhe njëherit përfaqësueses së Maqedonisë, Visar Musliu, që vlerësohet në 700 mijë euro. Te Musliu vërehet një përmirësim i vlerës, duke e rritur atë për 100 mijë euro nga përditësimi i fundit.

4 futbollistët e rradhës vlerësohen me shumën e njëjtë, 600 mijë euro, mirëpo duke potencuar se dy prej tyre më nuk janë pjesë e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Fjala është për Hambarxhumjan të Vardarit, i cili është lënë i lirë, dhe futbollistin e Akademia Pandev, Jani Atanasov, i cili bëri një super transferim në Superligën turke te skuadra e Bursaspor. Me të njëjtën shumë (600 mijë euro), por që vazhdojnë të qëndrojnë në LPFM, vlerësohen edhe Besart Ibraimi i Shkëndijës dhe portieri i Vardarit, Filip Gaçevski, transmeton “infOSport.mk”.

Me nga 100 mijë euro më pak pasojnë plotë 6 futbollistë, 4 prej të cilëve vijnë nga rradhët e Shkëndijës, si Egzon Bejtullai, Armend Alimi, Stenio Zhunior dhe Marjan Radeski.

Leave a Reply