Mici: Me ndihmën e publikut të kalojmë Rosenborgun

Shkëndija pas fitores së thellë 4:1 ndaj Bellasicës në kampionat, tashmë gjithë vëmendjen e ka përqëndruar te ndeshja historike, ajo e së enjtes përballë Rosenborgut të Norvegjisë në Shkup.

Një rezultat si ai i ndeshjes së fundit ndaj skuadrës nga Strumica do të bënte që Shkëndija të shkruante historinë dhe për herë të parë të kualifikohej në grupet e Liga Europa, ndërsa gjithashtu skuadrës “kuqezi” do i shkonte për shtati edhe një fitore 2:0, duke marrë në konsideratë golin e shënuar në atë transfertë kur Shkëndija ishte mundur nga Rosenborgu me rezultatin 1:3.

Ndaj Bellasicës ndër futbollistët më të mirë në terren ishte mbrojtësi i majtë, Gledi Mici, i cili ka folur edhe për takimin e ditës së enjte kundër ekipit të njohur norvegjez.

“Futbolli është i bukur dhe i paparashikueshëm, Rosenborgu është skuadër e fortë por ne kemi shpresa për të kaluar më tej. Do të japim gjithçka nga vetja dhe me pak fat besoj të kalojmë në grupe”, shprehet Gledi Mici.

Mbrojtësi i majtë beson se mbështetja e publikut në këtë ndeshje mund të rezultojë de­çizive, pasi që përkrahja nga tribunat është shtytje shtesë për futbollistët të japin më shumë nga vetja.

“I bëj thirje publikut të jenë në numër sa më të madh pasi ata janë lojtari i dymbëdhjetë. Sa më shumë spektatorë të jenë në stadium aq më mirë do jetë për ne që të japim gjithçka, të luajmë me zemër dhe pse jo në fund t’i bëjmë të lumtur me sukses historik”, përfundoi Mici.

Përballja Shkëndija-Rosenborg luhet të enjten në Shkup me fillim në orën 20:15, ndërsa biletat tashmë disa ditë janë në shitje dhe pritet publiku të jetë forcë e shtuar e skuadrës në këtë betejë historike.

Leave a Reply