Bojku: Edhe ndaj Kit Go të luajmë si ndaj Rabotniçkit

Një ndër futbollistët më në formë aktualisht te Shkëndija, pa dyshim se është Besmir Bojku, ndërsa falë performancës së tij të shkëlqyeshme trajneri Osmani po i beson më shumë minuta, duke e vënë atë në disa ndeshje edhe titullarë. Ashtu pritet të jetë edhe në takimin e sotshëm që Shkëndija do ta zhvillojë kundër skuadrës së Ligës së Dytë, Kit Go, në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë.

“Pa marrë parasysh se bëhet fjalë për ekip të panjohur që vjen nga kategoria e dytë, ne i respektojmë ata si gjithë ekipet tjera dhe do të hyjmë në lojë për të dhënë maksimumin. Sigurisht se duhet të kërkojmë të luajmë ashtu si në ndeshjen paraprake me Rabotniçkin, pasi në kuadër të Kupës gjithmonë është e rëndësishme të keshë rezultat sa më të mirë nga ndeshja e parë. Shpresoj të kemi më shumë spektatorë, ndërsa ne premtojmë tjetër paraqitje pozitive”, – deklaroi Besmir Bojku.

Ndeshja e parë e 1/8 së finales midis Shkëndijës dhe Kit Go në stadiumin e qytetit në Tetovë starton në ora 15:30, ndërsa ajo e kthimit në program është me datë 3 tetor në Pehçevë.

 

Leave a Reply