Barcelona, 84 mln euro për mbrojtësin Shkriniar

Dëmtimi i Samuel Umtitit ka bërë që drejtuesit e Barcelonës të lëshohen në kërkim të një mbrojtësi mjaft cilësor, pavarësisht shifrave të transferimit të tij.

Kësisoj skuadra “katalunase” ka nisur zyrtarisht tratativat me Interin për sllovakun Milan Shkriniar, i kërkuar edhe në muajt e verës prej trajnerit Valverde, por që në fund mbeti në “Xhuzepe Meaca”.

Sipas medieve iberike, oferta “blaugrana” për futbollistin në fjalë ka shkuar deri në 84 milionë euro, shifër që ka lëkundur edhe më besnikët e klasit të Shkriniarit në kampin zikaltër.

Nëse finalizon marrëveshjen, ashtu siç parashikojnë ekspertët në Spanjë, Barcelona do ta kishte të lehtë të akivizonte blerjen e re edhe në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë në Ligën e Kampionëve.

Kjo, për shkak të rregullave të reja lehtësuese të UEFA-s mbi ndryshimin e ekipeve nga lojtarët brenda një kompeticioni dhe sezoni në vazhdim.
Mbetet për t’u parë vullneti i sllovakut për të lënë në mes kampionatin me Interin, edhe pse tundimi për të shkuar në një ekip si Barcelona ka nisur të japë efekt pozitiv në tratativa.

Leave a Reply