Skandal në futbollin belg, ka pretendime për korrupsion dhe trukim ndeshjesh

Zyrat e dy skuadrave të njohura belge, Anderleht dhe Klub Bryzh, janë bastisur nga ana e policisë, e cila ka pretendime për korrupsion dhe trukim ndeshjesh. Në pyetje lidhur me këtë janë marrë menaxherë, gjyqtarë dhe agjentë, të cilët duhet të japin përgjigje para policisë belge.

Trajneri i Klub Bryzh, Ivan Leko, thuhet të jetë ndër të ndaluarit, ndërsa ish-shefi i Anderleht, Herman Van Holsbek, bëhet me dije se është duke u marrë në pyetje. Policia po heton pretendimet për mashtrim fiskal (shmangie e taksave), pastrim të parave dhe trukim të ndeshjeve.

Agjenti me ndikim, Mogi Bayat, që shihet si një nga më të fuqishmit në ‘Jupiler League’, niveli më i lartë i kompeticionit kombëtar në këtë vend, është arrestuar, sipas njoftimeve në shtypin belg.

Gjykatësit kryesorë, Bart Vertenten dhe Sebasien Delferière, gjithashtu, po bashkëpunojnë me policinë mbi pretendimet për trukim të ndeshjeve, sipas ‘De Standaard’.

Përveç Klub Bryzh dhe Anderleht, thuhet se edhe zyrat e 10 klubeve të tjera janë bastisur, duke përfshirë edhe kryesuesin e tabelës së klasifikimit, Genk. Anderleht ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se po bashkëpunojnë me hetimin, ndërsa Klub Bryzh ka konfirmuar, gjithashtu, se do ta ndihmojnë policinë me informacionet e tyre, pasi nuk kanë asgjë për të fshehur.

Leave a Reply