Bajern Munihu interesohet për yllin e Interit

Mbrojtësi i Interit, Milan Shkriniar, raportohet të jetë një objektiv i Bajern Munihut për merkaton e janarit.

Sipas ‘Tuttosport’, drejtuesit e skuadrës ‘bavareze’ mendojnë se skuadra ka nevojë për përforcime pas një ecurie negative në Ligën e Kampionëve dhe në kampionat, që i ka zbritur ata në pozitën e 6-të në renditjen e Bundesligës.

Si pasojë, vëmendja e tyre është kthyer te mbrojtësi sllovak, Shkriniar, i cili ka ndihmuar Interin të fitojë gjashtë ndeshje radhazi dhe është përfolur për një transferim te Barcelona apo edhe te Mançester Siti.

Gjithsesi, gazeta italiane paralajmëron se  ‘zikaltërit’ e vlerësojnë mbrojtësin e tyre në 80 milion euro, pak a shumë në një nivel me mbrojtësin e Liverpullit, Virxhil van Dijk.

Interi tashmë ka nisur bisedimet me Shkriniar për vazhdimin e kontratës. Sipas asaj që raporton ‘Tuttosport’, drejtuesit e Interit i kanë ofruar atij 2.5 mln euro në sezon, ndërsa vetë Shkriniar kërkon 1 mln më tepër. Pikërisht këtu sheh mundësinë edhe Bajerni i Munihut, një skuadër me një buxhet të fuqishëm, e cila mund ti bëjë ballë një kërkese të tillë të mbrojtësit sllovak.

Leave a Reply