Anglia mundi Spanjën në një ndeshje të çmendur, i shkakton disfatën e parë si vendas pas 15 viteve (VIDEO)

Anglia ka surprizuar Spanjën në një ndeshje direkte e cila dhuroi një futboll shumë cilësorë, gola të bukur dhe në fund fitore të ‘Albionit Krenar’ me rezultatin 3:2 në ndeshjen e zhvilluar në Seviljë në kuadër të grupit 4 të Ligës ‘A’ të Kombeve.

Ishte kjo disfata e parë si vendas e ‘Furisë së Kuqe’ pas plotë 15 viteve dhe fitorja e parë e ‘Tre Luanëve’ në Spanjë që nga viti 1987.

Skuadra e Garet Sautgejt që të tre golat i realizoi gjatë pjesës së parë, kur Rahim Sterling shënoi dy gola (16′, 38′), ndërsa një gol tjetër realizoi Markus Rashford (29′). Në këtë pjesë me lojë të mirë te Anglia u dallua Hari Kejn me dy asiste.

Në pjesën e dytë rezervisti Pablo Alkaser në minutën e 58-të ngushtoi epërsinë e anglezëve në 1:3, ndërsa në minutën e 97-të Serhio Ramos me kokë realizoi edhe golin e dytë, mirëpo që në fund vlente vetëm për statistika, pasi Spanja nuk mund ti ikte disfatës. Një gjë e tillë ndoshta do të mund të ndodhte në rast se arbitri kryesor në minutën e 63-të tregonte në pikën e bardhë, kur portieri Xhordan Pikford kishte një kontakt me Rodrigon në zonën e rreptësisë, mirëpo edhe pse arbitri fërshëlleu, ai me shenjë bëri vetëm drejt rivënies nga këndi.

Për Anglinë ishte kjo fitorja e parë pas Botërorit në Rusi. Deri në këto momente ‘Albioni Krenar’ kishte vetëm një pikë në grupin e katërt, pas barazimit pa gola ndaj Kroacisë të premten. Në anën tjetër Spanja regjistroi disfatën e parë nën drejtimin e Luis Enrikes, mirëpo edhe përkundër këtij fakti ‘iberikët’ vazhdojnë të kryesojnë grupin me 6 pikë të tubuara.

Leave a Reply