F1, Hamiltoni dominon provat e lira në Austin

Lewis Hamilton dhe Mercedesi dominuan provat e lira në prag të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara, në Austin të Teksasit, në Botërorin e Formulës 1.

Piloti britanik, që është shumë pranë titullit të tij të pestë botëror këtë sezon, ishte më i shpejti në pistën teksane, ku regjistroi kohën 1 minutë, 48 sekonda e 716 të mijëtat. Hamiltonit iu deshën vetëm 3 xhiro për të regjistruar këtë kohë, që në fund rezultoi e paarritshme nga të tjerët, edhe pse kushtet e pistës nuk ishin ideale, për shkak të reshjeve të shiut që shoqëruan provat e lira gjatë të gjithë ditës.

Ai që iu afrua më shumë Hamiltonit në këto prova të lira ishte Gasly, me Toro Rosso, me 1 sekondë e 12 të mijëtat më shumë, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Max Verstappen me Red Bull, i ndjekur nga Alonso me McLaren.

Dita e provave të lira në Austin ishte krejtësisht për t’u harruar për Ferrarin. Kimi Raikkonen shënoi kohën e 9 më të mirë, i ndjekur nga Sebastian Vettel. Për këtë të fundit telashet nuk kanë të përfunduar. Piloti gjerman u penalizua me 3 pozicione në startin e garës së të dielës, pasi nuk respektoi kufirin e shpejtësisë nën regjimin e flamurit të kuq, që u valëvit pas një daljeje nga pista të Leclerc.

Leave a Reply