Bojku: Nëse japim maksimumin, besojë se dalim me rezultat pozitiv

Shkëndija në kuadër të xhiros së 14-të në elitën e futbollit vendor përballet me Rabotniçkin në transfertë. “Kuqezinjtë” nga Tetova dëshirojnë që ta vazhdojnë ritmin e fitoreve në kampionat edhe në këtë xhiro, për të përforcuar kreun në renditjen tabelare. Para kësaj sfide për ndeshjen ndaj “romantikëve” ka folur mesfushori i Shkëndijës, Besmir Bojku.

“Sigurisht do të jetë një ndeshje e vështirë. Rabotniçki meriton respekt. Ne do të japim maksimumin dhe nëse japim maksimumin besoj se do të dalim me rezultat pozitiv” thotë fillimisht Bojku.

I pyetur për mungesat e rëndësishme në taborin “kuqezi”si Besart Ibraimi e Stenio Zhunior, strugani përgjigjet: “Të dy janë futbollistë cilësorë dhe të rëndësishëm për ekipin. Por sigurisht edhe ata që do t’i zavendësojnë që të dy në këto ndeshje do të bëjnë më të mirën”, thotë Bojku, i cili ndaj Rabotniçkit pretendon vetëm fitore.

Ndeshja Rabotniçki-Shkëndija zhvillohet sot në arenën “Filipi i Dytë” në Shkup, duke nisur nga ora 13:00./InfOSport.mk

Leave a Reply