Zidan në pushime, por tjetër skuadër interesohet për shërbimet e tij

Pas tre triumfeve radhazi në Champions League, Zinedine Zidane hyri brenda pak viteve në historinë e Realit të Madridit dhe të futbollit evropian, edhe si trajner. Pas një karriere të shkëlqyer si futbollist, ku fitoi gjithçka, francezi nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij të radhës në futboll, dhe tani është një prej teknikëve më të kërkuar në merkato.

Për momentin, Zidane po kalon një periudhë pushimi, por gjithsesi zërat për kalimin në një klub të madh nuk reshtin së dali nëpër media. Pasi u përfol shumë se do të zëvendësonte Mourinhon tek Manchester United, tashmë është Bayern Munchen ai që ka shfaqur një interesim konkret për ish-mesfushorin. Sipas mediave spanjolle, skuadra gjermane i ka bërë një ofertë “Zizou”, për të marrë drejtimin e ekipit vitin e ardhshëm.

Vetë 46 vjeçari ka një marrëdhënie të shkëlqyer me drejtorin sportiv të bavarezëve, Hasan Salihamidzic. Qëllimi i skuadrës më të titulluar në Gjermani është të largojë në fund të vitit trajnerin aktual, Niko Kovac, nëse rezultatet nuk do të ndryshojnë, e më pas do të provojnë të afrojnë Zidane.

Gjithsesi, përveç bavarezëve, klubet e tjera të interesuara janë Manchester United, si dhe Paris Saint-Germain, që vazhdon të ëndërrojë për Champions League. Gjithçka mbetet në dorën e Zidane, me tifozët të cilët presin në ankth një prej trajnerëve më të suksesshëm në vitet e fundit.

Leave a Reply