Lacio dhe Sampdoria në një ndeshje dramatike në ‘Olimpiko’ në fund ndajnë pikët (VIDEO)

Lacio dhe Sampdoria barazuan 2:2 në ndeshjen e javës së 15-të në ‘Serie A’. Kësisoj ‘Shqiponjat e zeza’ përsëritën rezultatin e Romës, që orë më parë vetëm në minutën e 5-të shtesë të takimit lëshoi fitoren nga duart në transfertën ndaj Kaljarit, që në ato momente barazoi shifrat në 2:2.

Kur jemi tek golat në kohën shtesë, në ndeshjen midis Lacios dhe Sampdorias u shënuan dy të tillë. Fillimisht Çiro Immobile në minutën e 96-të kaloi në epërsi Lacion (2:1), teksa në minutën e 99-të Saponara i siguroi një pikë skuadrës së Sampdorias, që me anë të Kualjarelas në minutën e 21-të kishte shënuar golin e parë në këtë ndeshje.

Golin e parë dhe të barazimit në këtë ndeshje për Lacion e realizoi Açerbi në minutën e 79-të.

Rikujtojmë në ndeshjen e parë të së shtunës, Napoli me rezultatin 4:0 mundi Frosinonen.

Milik realizoi dy gola në këtë ndeshje për ‘napolitanët’, teksa nga një gol realizuan Zielinski dhe Ounas. Napoli vazhdon të mbajë pozitën e dytë me 35 pikë, teksa Lacio mbetet në pozitën e 5-të me 25 pikë, po aq sa ka edhe Milani në pozitën e katërt, që ndeshjen e saj të javës së 15-të do ta zhvillojë nesër kundër Torinos (20:30).

Leave a Reply