Husein Demiri mbylli aventurën me PS Kemi në Finlandë

Husein Demiri ka mbyllur aventurën e tij 6 mujore në Finlandë te skuadra e PS Kemi, njofton ‘infOSport.mk’. Edhe pse sulmuesi shkupjan kishte kontratë deri në fund të vitit 2019-të, me pëlqim të dyanshëm e njëjta është ndërprerë para kohe, me ç’rast Huseini tashmë pritet të sfidojë veten në ndonjë skuadër të re, duke mos përjashtuar këtu edhe ndonjë skuadër nga futbolli vendor.

Ai para se të transferohej në Finlandë së fundmi ishte pjesë e FC Shkupit, mirëpo që 6 muajt e fundit i kaloi si i huazuar te skuadra e Vëllazërimit të Kërçovës. Ndryshe në Maqedoni ai kishte luajtur edhe me Rabotniçkin dhe Makedonija Gj.P, ndërsa në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë numëron 56 ndeshje dhe 5 gola të shënuar.

Kësisoj Demiri bëhet futbollisti i dytë shqiptarë që largohet nga kjo skuadër, pasi një gjë të tillë, javë më parë bëri edhe Demir Imeri.

Leave a Reply