E bujshme, Kukësi pranë firmosjes me portierin e përfaqësueses së Maqedonisë!

Skuadra e Kukësit është në kërkim të një portieri cilësorë, që shihet si zëvendësim për të dëmtuarin Faton Maloku, njofton ‘infOSport.mk’.

Gardiani kosovar u dëmtua në ndeshjen e 9 janarit që skuadra nga Verilindja e Shqipërisë e zhvilloi në Turqi kundër skuadrës së Bashakshehir.

Lëndimi i Malokut alarmoi drejtuesit e Kukësit, të cilët janë të gatshëm që të ndërhyjnë sërish në merkato për të afruar një portier cilësor e të afirmuar.

Dy emrat e parë të mundshëm janë Edvan Bakaj dhe Shpëtim Moçka, mirëpo informacionet e fundit flasin se presidenti Safet Gjici dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi janë duke punuar në një pistë tjetër.

Që të dy kanë hyrë në bisedime me portierin e dytë të përfaqësues së Maqedonisë, Damjan Shishkovski, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Lahtit në Finlandë.

Ai te kjo skuadër u transferua shkurtin e vitit të kaluar, mirëpo pasi i përfundoi kontrata me 1 janar të këtij viti, Shishkovskit nuk iu vazhdua kontrata nga ana e drejtuesve të Lahtit, ashtu që tashmë është një agjent i lirë.

Kjo lehtëson edhe më shumë punët e drejtuesve të Kukësit, të cilët siç mëson ‘infOSport.mk’, po negociojnë për detajet e fundit me gardianin maqedonas, i cili më herët ka qenë pjesë e Rabotniçkit në Maqedoni.

23-vjeçari pikërisht të ‘romantikët’ kishte bërë hapat e parë në futboll, ndërsa janarin e vitit 2015-të ai kishte bërë transferin e tij të parë jashtë Maqedonisë, duke iu bashkuar skuadrës belge të Gent.

Ndryshe Shishkovski ka qenë pjesë e përfaqësueseve zinxhir të Maqedonisë, duke arritur të luajë edhe për ekipin e parë, mirëpo gjithnjë duke qenë nën hijen e Stole Dimitrievskit.

Leave a Reply