Pse nuk luan Shaqiri? Jurgen Klopp sqaron gjithçka

Edhe në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Portos, trajneri i Liverpullit, Jurgen Klop nuk kishte siguruar një vend për shqiptarin, Xherdan Shaqiri.

Trajneri gjerman nuk dëshiron të flasë për këtë situatë, por e ka pranuar që është i lumtur që e ka mesfushorin nga Kosova në skuadrën e tij.

Liverpulli mbrëmë mundi Porton edhe në ndeshjen e dytë çerekfinale, duke shënuar një fitore të thellë 4:1 në “Dragao” stadium, dhe me rezultatin e përgjithshëm 6:1, me plotë meritë u kualifikua për në gjysmëfinale.

Në këtë ndeshje strategu gjerman kishte bërë rotacion në formacionin e Liverpullit, ku kishte pushuar Naby Keita, Xhordan Henderson dhe Roberto Firminon.

Mirëpo pavarsisht kësaj, Klop nuk vendosi të inkuadrojë në lojë Shaqirin fare, ndërsa në pyetjen e televizionit zviceran, “SRF”, se pse po ndodh kjo, trajneri i Liverpullit u përgjigj: “Jo, jo, gjithçka është në rregull. Si trajner, nuk dua të flas për këtë, por asgjë nuk ka ndodhur mes nesh. Ne kemi lojtarë cilësor këtu”, – vlerësoi Klop.

Që prej mesit të muajit shkurt, Xherdan Shaqiri nuk ka startuar në asnjë ndeshje, duke luajtur shumë pak minuta, edhe atë vetëm gjatë pjesës së dytë.

Megjithatë Klop  thotë se është tejet i lumtur që e ka Shaqirin në skuadër.

“Shaqiri ka pasur disa probleme me lëndimet, por tani ai është në top-formë. Ai na ka ndihmuar shumë neve dhe ne do ta ndihmojmë, gjithashtu. Jam i kënaqur që e kam atë në skuadër”, – tha Jurgen Klop, i cili me Liverpullin e tij do të luaj në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Ndeshjen e parë skuadra angleze përballë kampionëve të Spanjës do ta zhvillojë në “Kamp Nou” me datë 1 maj, ndërsa ndeshja e kthimit në “Enfilld Roud” në program është me 7 maj.

Leave a Reply