Eden Hazard, zyrtarisht i Real Madridit!

Ka përfunduar që në ditët e para të merkatos verore “telenovela” Eden Hazard, me sulmuesin belg që më në fund kurorëzoi ëndrrën e tij, duke u bërë pjesë e Realit të Madridit.

Lajmi është dhënë nga vetë klubi madrilen në faqen zyrtare, ku ndër të tjera thuhet se Hazard do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me “Los Blancos” dhe do të prezantohet zyrtarisht më 13 qershor, pasi të ketë përfunduar angazhimet me Belgjikën, në eliminatoret e Euro 2020-ës.

Nuk janë bërë ende të ditura detajet e operacionit, por paraprakisht thuhet se klubi spanjoll do të paguajë rreth 100 milionë euro, plus bonuset, në arkat e Chelseat, për të kënaqur trajnerin Zinedine Zidane, duke i vënë në dispozicion një nga lojtarët e preferuar.

Vlen të theksohet se Reali i Madridit kërkon të transferojë Hazard prej 3 sezonesh, por për një arsye apo për një tjetër, marrëveshja ka ngecur dhe belgu ka vijuar të jetë pjesë e Chelseat, ku së fundi fitoi edhe Ligën e Europës.

Pas Eder Militao, Eden Hazard është përforcimi i dytë e Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm, ndërsa revolucioni vazhdon dhe në ditët në vijim priten të tjera afrime të bujshme te madrilenët.

Leave a Reply