Ramadani i kënaqur me barazimin ndaj TNS, ja çfarë kërkon për ndeshjen e dytë

Strategu shkupjan i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ka folur pas barazimit të së martës, ndaj TNS, me rezultat 2:2. Edhe pse skuadra e tij deri në minutën e 89-të ndodhej në disavantazh prej 2 golave, në fund arriti që të nxjerrë një barazim, që ju jep shpresa tyre se në ndeshjen e kthimit në Prishtinë do i’a arrijnë qëllimit që të kalojnë në fazën e dytë eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian.

“Ishte ndeshje e jashtëzakonshme, patjetër që jam i kënaqur me rezultatin, por dua që të luajmë më guximshëm që nga minuta e parë e ndeshjes. Treguam se ekipi e di se çka dëshiron edhe para ndeshjes isha i kënaqur me një barazim me gola, por mënyra se si erdhi barazimi e bëri më të veçantë”, – deklaroi Ramadani për faqen zyrtare të skuadrës nga Drenasi.

“Secilën ndeshje po tentojmë çdo herë e më shumë ta jetësojmë filozofinë e lojës sonë, është normale që na mungon eksperienca, por ajo fitohet në duele të tilla. Nga pikat e mira të ndeshjes, dua të veçoj lojën në ajër, ku fituam shumicën prej dueleve, sidomos gjatë fundit të takimit. Tani ky rezultat është më i favorshëm për ne, por duhet të jemi tejet të kujdesshëm, pasi luajmë ndaj një skuadre që ndëshkon çdo gabim. Në ndeshjen e dytë do të doja të shënojmë në fillim, e pastaj të luajmë një lojë të kujdesshme”, – është shprehur shkupjani, Ramadani.

Ndeshja e kthimit midis Feronikelit dhe Nju  Seints në program është me datë 16 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply