Rastet më të mira dhe goli i Serzhinjos ndaj Sileksit (VIDEO)

Goli i brazilianit Serzhinjo mjaftoi për tre pikë dhe debutim me fitore të trajnerit të ri, Bulent Akin në ndeshjen kundër Sileksit, e vlefshme për javën e 5-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i ndeshjes kaloi në matjen e forcave nga të dyja skuadrat, ndërsa në minutën 21-të Muharem Bajrami tentoi nga gjuajtja e lirë, por vetëm deri në duart e portierit Bozhinevski. Kapiteni “bardhekaltër” disa minuta më vonë nuk arriti të shfrytëzojë as krosimin e Mevlan Adilit.

Musli Lika u kanos në dy raste në minutat 32-të dhe 34-të, mirëpo nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë. Kah fundi i pjesës së parë mysafirët nga Kratova regjistruan dy raste me Timovskin dhe Blagojeviqin, por pa finalizim. Kështu pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Musli Lika kishte kanosjen e parë në pjesën e dytë, teksa në minutën e 59-të erdhi goli i parë i këtij takimi, kur pas një “rrëmuje” në zonën e rreptësisë, braziliani Serzhinjo gjeti rrjetën për epërsi 1:0.

Në vijim FC Shkupi kërkoi edhe golin e dytë përmes Krivanjevës dhe Stojanovskit, por që nuk arritën të shënojnë në rrjetën e Bozhinovskit.

Ndeshjen e radhës në kampionat FC Shkupi do ta zhvillojë kundër Vardarit të mërkurën (18.09) në Çair.

Leave a Reply