Alimi: Vazhdojmë me fitore edhe në Kupë, le t’ia mendojë Vardari!

Shkëndija të mërkurën për një çast do t’i ndahet kampionatit për tu ndeshur në Shkup me Vardarin në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës. “Kuqezinjtë” besojnë se do të vazhdojnë me ritmin e fitoreve, edhe në kuadër të Kupës, aty ku i pret përballja me rivalin e vjetër, Vardarin, që aktualisht udhëheq renditjen tabelare në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.

Megjithatë pavarësisht këtij fakti, motori i Shkëndijës në mesfushë, Armend Alimi, thotë se skuadra e tij synon të vazhdojë serinë pozitive të kampionatit edhe në Kupë.

“Synojmë të vazhdojmë serinë pozitive të kampionatit edhe në Kupën e vendit. Jemi të vetëdijshëm se na pret duel i vështirë me një rival që gëzon formë të mirë, por shkojmë të japim më të mirën nga vetja. Kupa sjell dy ndeshje dhe duke e ditur se revanshi luhet në fushën tonë, ne do të jemi të kujdesshëm në takimin e parë”, përfundoi numri ‘5’ i skuadrës “kuqezi”.

Ndeshja e parë e 1/8 së finales së Kupës midis Vardarit dhe Shkëndijës zhvillohet të mërkurën (25 shtator) në arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 15:30.

Leave a Reply