Juventus Serava nuk ndalet, mund edhe Velesin

Pas dy fitoreve në transfertë kundër Karadakut nga Kumanova (7:5) dhe Mal Ajaksit (5:4) nga Shtipi, skuadra shkupjane e Juventus Seravës, sonte në palestrën “Enver Idrizi” mundi nënkampionët e Velesit me rezultatin 7:4, njofton “infOSport.mk”.

Ishte pra kjo fitorja e tretë për “bardhezinjtë”  nga Serava, nga po aq ndeshje, duke paralajmëruar një sezon më ndryshe nga ai i kaluari.

Ndryshe ndeshja nuk nisi mirë për Juventus Seravën, që e pa veten në disavantazh, mirëpo shumë shpejtë erdhi reagimi i Xhelal Mjakut, që nga goditja e lirë barazoi shifrat në 1:1. Talenti i “bardhezinjëve”, Furkan Shabani, njëherit anëtarë i përfaqësueses U19 të Maqedonisë, shënoi golin e dytë për Juventus Seravën, duke kaluar për herë të parë në epërsi skuadrën “bardhezi” në këtë përballje, ndërsa i njëjti pak para mbylljes së pjesës së parë përfitoi një penalti, nga e cila i saktë doli të jetë Xhelal Mjaku, që në ato momente shënoi për 3:2.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa pjesa e dytë nisi furrishëm për vendasit, të cilët falë golave të shënuar nga Atila Jakupi dhe Esin Sulimani avansuan me rezultatin 5:2, transmeton “infOSport.mk”.

Mysafirët u kundërpërgjigjën  shumë shpejtë, duke zvogëluar shifrat në 5:3, mirëpo Atila Jakupi shënoi edhe golin e dytë personal, duke rikthyer epërsinë e 3 golave në favor të Juventus Seravës, skuadër kjo që arriti ta ruajë të njëjtën, pasi përmes Idriz Dardhishtës shënoi edhe golin e 7-të, për rezultat përfundimtarë, Juventus Serava 7, Velesi 4.

Leave a Reply