Pioli: Nuk e merituam të humbisnim ndeshjen

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, pas përfundimit të ndeshjes kundër Juves ka folur për mikrofonat e “Sky Sport”, duke potencuar se skuadra e tij nuk e meritoi humbjen në “Juventus Stadium”.

“Na mungoi vetëm rezultati, paraqitja e futbollistëve të mi ishte e shkëlqyer, më e mirë se e Juventusit. Por kur nuk shënon kundër një kundërshtari si Juventusi, sidomos në fushë kundërshtare, atëherë ndëshkohesh. Krijuam shumë raste dhe pak skuadra dominojnë Juventusin në fushën e saj. Tani thjesht duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të punojmë më shumë. Luajtëm me një intensitet të jashtëzakonshëm, ky ishte një test për ne. Duhet të merrnim diçka nga kjo sfidë, por po largohemi duarbosh, gjë që nuk është aspak e mirë”, – përfundoi Pioli.

Për Milanin ishte kjo disfata e 7-të në 12 xhiro, që e rëndisin këtë skuadër në pozitën e 14-të me vetëm 13 pikë të tubuara. Tashmë kur pason një pauzë dy javore për shkak paraqitjeve të Kombëtareve në eliminatoret për Euro 2020, Stefano Pioli do të ketë mundësinë të punojë më shumë kohë me skuadrën “kuqezi”, e cila ndeshjen e rradhës kampionale do ta zhvillojë me Napolin me 23 nëntor.

Leave a Reply