Konfirmohet largimi i parë nga Milani gjatë merkatos së janarit

Në merkaton e janarit pritet që të ketë shumë lëvizje te Milani. Për sa i përket lojtarëve që do të afrohen, në kampin kuqezi po kërkohet me ngulm një sulmues, ndërsa në dalje, largimi i parë është konfirmuar.

Ka qenë vetë agjenti i Fabio Borinit, i cili është shprehur për “Radio Rossonera” se klienti i tij do të largohet nga “San Siro” në janar.

Mbetet për t’u gjetur akordi me ekipin e ri, ku sipas gjasave destinacioni i ardhshëm do të jetë Anglia, me Borinin që ka luajtur dhe më parë me Sanderlandin.

“Në janar do të provojmë të gjejmë akord me ndonjë klub tjetër, ku Borini mund të luajë. Ku? Zgjedhjet nuk mungojnë, si nga Italia, por edhe nga Anglia. Milan? Absolutisht një eksperiencë pozitive”, është shprehur agjenti.

Ardhja e Stefano Piolit në krye të pankinës kuqezi, i ka mbyllur çdo dere “xholit” italian për të luajtur, pasi trajneri i ri nuk i ka dhënë thuajse asnjë minutë në kampionat.

Kështu, largimi i parë nga Milani në janar do të jetë pikërisht Fabio Borini.

Leave a Reply