Gostivari me trajnerin e ri Topçiu startoi përgatitjet

Janari është muaji i merkatos, por njëkohësisht edhe muaji kur skuadrat në vendin tonë ndezin motorët për në pranverë, ku presin të marrin më të mirën. Si shumë skuadra nga elita, ashtu edhe Gostivari që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, sot startoi me fazën e përgatitjeve për stinorin pranveror, edhe atë nën dirigjimin e trajnerit të ri, Birol Topçiu.

Ky i fundit në postin e kryetrajnerit te Gostivari erdhi kah mesi i muajit dhjetor të muajit të kaluar, duke zëvendësuar Afet Ibrahimin.

Topçiu sot pati edhe takimin e parë me futbollistët e tij, e ku në sy ranë edhe disa emra të rinj, që pritet të përforcojnë skuadrën për pjesën e dytë të kampionatit.

Ndryshe fazën e parë të përgatitjeve, Gostivari do ta zhvillojë në stadiumin e saj, edhe atë deri në fillim të muajit shkurt, kur është paraparë që skuadra të fillojë edhe me fazën e dytë, që me shumë gjasa do të zhvillohet në Ohër.

Rikujtojmë Gostivari stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e 6-të me 19 pikë të tubuara, vetëm 6 pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Skopje.

Leave a Reply