Nejmar dhe Mbape bëjnë shou, Ikardi “tripletë” shënon, PSZH, Sent Etienin turpëron (VIDEO)

Paris Sen Zhermeni me stil është kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Francës, teksa mbrëmjen e së mërkurës me shifrat 6:1 turpëroi Sent Etienin në ndeshjen e zhvilluar në “Parkun e Princërve”, njofton “infOSport.mk”.

Seria e golave nisi që në minutën e dytë, kur Munie lëshoi një pasim në thellësi për Mauro Ikardin, i cili shënoi golin e tij të parë në këtë takim.

Punën e ekipit vendas e lehtësoi futbollisti mysafir Ueslli Fofana, i cili në minutën e 31-të pas një ndërhyrje të palejuar ndaj Anhel Di Maria, u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me një futbollistë më pak në fushë.

Që nga ai moment në fushën e blertë luante vetëm një skuadër. Në minutën e 40-të Paris Sen Zhermeni shënoi edhe golin e dytë, kësaj rradhe me anë të brazilianit Nejmar, që shfrytëzoi në maksimum pasimin e Di Marias.

Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi një karambol në zonën e mysafirëve hutoi mbrojtësine  Sent Etien, Zhesi Mulen, i cili në minutën e 44-të shënoi në rrjetën e gabuar për rezultat 3:0 në favor të PSZH-së.

Vendasit me shoun e tyre vazhduan edhe në pjesën e dytë, kur vetëm pas 4 minutave lojë Ikardi shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve. Argjentinasi shënoi edhe në minutën e 57-të, duke regjistruar “hat-trik”, ndërsa goli i 6-të ishte pjesë e Kylian Mbape, i cili në këtë mënyrë kurorëzoi paraqitjen e tij të mirë me një gol në rrjetën e Sent Etien, transmeton “infOSport.mk”.

Këta të fundit në minutën e 71-të përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Johan Kabaje, mirëpo vetëm pas tentativës së dytë, pasi në të parën portieri Serhio Riko arriti që të ndalë goditjen e futbollistit mysafir.

PSZH në minutën e 82-të shënoi edhe golin e 7-të, mirëpo i njëjti u anulua, për shkak se Edinson Kavani kishte qenë në pozitë jashtë loje.

Me këtë paraqitje, PSZH dha një sinjal të fuqishëm për të rrëmbyer këtë trofe, teksa për të bërë një gjë të tillë i nevojiten vetëm edhe dy ndeshje për të fituar.

Leave a Reply