Zbulohet oferta e Mançester Junajtedit për Vedat Muriqin

Mediat turke kanë zbuluar se Mançester Junajtedi dështoi me një ofertë të janarit për sulmuesin e Fenerbahçe, Vedat Muriqi.

Sipas mediumit turk “Fotospor”, Fenerbahçe ka refuzuar një ofertë prej 25 milionë eurosh nga Junajtedi për sulmuesin e Përfaqësueses së Kosovës.

Gjigandi turk nuk do të humbas lojtarin para fundit të sezonit dhe duan 5 milionë euro tjera përpara se të përgatiten për të diskutuar largimin e Muriqit.

Agjenti i Muriqit, Haluk Canatar u raportua se kishte kërkuar një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh në kontratën e klientit të tij, por Feneri nuk pranoi, duke premtuar se do të linte lojtarin të largohej nëse vjen një ofertë e përshtatshme.

Qendërsulmuesi prizrenas, i cili ka 23 paraqitje dhe 8 gola për Kosovën, është në formë jetësore në ligën turke me 13 gola dhe pesë asistime në 20 ndeshje këtë sezon.

Bordi i “Kanarinave të Verdha” mendon se forma e Muriqit është e tillë, sa që ata mund të përfitojnë deri në 50 milionë euro pas një sezoni të plotë.

Përveç Junajtedit, interesim për yllin e “Dardanëve” kanë shprehur edhe Totenhami, Burnmauti dhe Bërnli.

Leave a Reply