Angellovski vlerëson përfaqësuesen e Kosovës

Angelovski në një intervistë dhënë të martën për “Kohën Ditore” ka thënë se rreziku më i madh për ekipin e tij kundër “Dardanëve” do të jetë nga sulmuesit Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, kur kanë mbetur edhe një muaj deri te ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Ligës së Kombeve do të zhvillohet më 26 mars në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup nga ora 20:45. Angelovski nuk ka pasur fjalë të mira vetëm për repartin e sulmit, por në përgjithësi për ekipin që drejtohet nga Bernard Challandes.

“Kosova është një ekip i fortë, me lojtarë të dëshmuar si Muriqi, Rashica, Rrahmani e disa të tjerë. Natyrisht, rreziku më i madh te Kosova mund të vijë nga reparti i sulmit, pasi Muriqi dhe Rashica këtë edicion kanë treguar paraqitje të mira, duke u shndërruar në lojtarë të rëndësishëm tek ekipet që luajnë”, ka thënë Angelovski.

Shefi i shtabit teknik te Maqedonia thotë se krahas futbollistëve të tij, ai tashmë po i përcjell me vëmendje të madhe edhe lojtarët e Kosovës. Se frikësohet prej dyshes Rashica – Muriqi, Angelovski ka zbuluar se sulmuesin e Fenrbahçes e ka përcjellë nga afër në ndeshjen e kampionatit të Turqisë kundër Istanbul Bashakshehirit më 25 janar. Këtë ndeshje e fitoi Fenerbahçe me rezultatin 2:0 dhe Muriqi ishte në listën e golashënuesve.

“Së fundi e kam përcjellë nga afër Muriqin në ndeshjen që Fenerbahçe e luajti kundër Bashakshehirit në kampionatin e Turqisë, pasi dua që të jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në fazën e përcjelljes së lojtarëve të të dyja ekipeve, pasi ka mbetur edhe një muaj deri te përballja që është historike si për ne ashtu edhe për Kosovën”, ka shtuar ai.

Muriqi 25-vjeçar këtë edicion për Fenerbahçen ka shënuar 13 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa Rashica 23-vjeçar ka dhjetë gola e katër asistime në 24 ndeshje të luajtura në Gjermani.

Muriqi luan në qendër të sulmit për Kosovën derisa Rashica aktivizohet në krahun e djathtë. Por Kosovës për duelin me Maqedoninë Veriore pritet t’i kthehet edhe sulmuesi i krahut të majtë, Arbër Zeneli. Zeneli vikendin e shkuar është kthyer nga lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushës, pasi luajti një pjesëlojë për ekipin e dytë të Reimsit. Pikërisht kthimi i Zenelit në fushë, sipas Angelovskit, është një përparësi e madhe për Kosovën, pasi insiston se sulmuesin kosovar e ka vlerësuar prej kohës kur luante në kampionatin holandez te Heerenveeni.

Edhe pse e vlerëson lart Kosovën, Angelovski pohon se në duelin e 26 marsit do të luajë lojë ofensive, të cilën e aplikon prejse ka ardhur në krye të Maqedonisë Veriore.

“Do të jetë një lojë e mirë, e fortë dhe shumë ofensive. E them këtë për shkak se po bëhen gati pesë vjet që jam në krye të Maqedonisë Veriore dhe gjithmonë kam aplikuar një lojë ofensive. Pra, do të jetë një duel i ekipeve që luajnë dhe iu pëlqen futbolli ofensiv. Pres të jetë një atmosferë e vërtetë futbolli”, është shprehur Angelovski.

Ai thotë se e ka parasysh që Kosova do ta bëjë të pamundurën për të arritur fitore në Shkup, e cila do t’i siguronte finalen e plejofit të Ligës D të Kombeve dhe që do të ishte një hap drejt kualifikimit në “Euro 2020”. Vetëm fituesi i Ligës D do ta fitojë biletën për në evropianin e këtij viti. Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë derisa finalja do të zhvillohet më 31 mars.

“Për mua është shumë me rëndësi që të mos kemi lëndime dhe të kam në dispozicion ekipin e kompletuar, në mënyrë që të shfaqim potencialin tonë ndaj Kosovës. Normalisht që pres fitore në këtë ndeshje dhe besoj se do të jemi maksimalisht të përgatitur në çdo aspekt. Më gëzon fakti që jemi mirë si ekip dhe lojtarët po luajnë vazhdimisht nëpër ekipet e tyre. Janë në formë të mirë, të cilën shpresoj ta tregojnë  edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Angelovski.

Së fundi, te Maqedonia Veriore ishin ftuar tre futbollistë shqiptarë: Enis Bardhi, Ezgjan Alioski dhe Visar Musliu. Por numri i lojtarëve shqiptarë ka qenë edhe më i madh, pasi në 12 muajt e fundit ishin ftuar edhe Egzon Bejtulai, Arijan Ademi dhe Ferhan Hasani.

“Enis Bardhi është një lojtar që po luan në tre vjetët e fundit në La Liga dhe po përparon gjithnjë e më shumë. Madje, në ndeshjen e fundit ndaj Real Madridit mund të them se ishte më i miri në fushë. Jam i lumtur që kam një lojtar të tillë, por edhe lojtarët e tjerë në ekip janë të mirë, të cilët udhëhiqen nga një kapiten si Goran Pandevi”, ka deklaruar Angelovski.

Për futbollistët shqiptarë te Maqedonia Veriore, dueli ndaj Kosovës pritet të jetë emocional, por kështu nuk mendon edhe Angelovski.

“Nuk do të ketë kurrfarë presioni në ekipin tonë, pasi edhe këtij dueli do t’i qasemi sikurse ndeshjeve të tjera, pra ta fitojmë”, ka thënë Angelovski.

Leave a Reply