Koronavirusi, ndeshja Maqedoni-Kosovë 99% luhet pa tifoz!

Koronavirusi po përhapet me të madhe në të gjitha vendet e Europës, ndërsa tashmë i njëjti ka bërë vend edhe në vendin tonë. Kjo mund të çojë edhe deri te shuarja e ëndërrës së madhe të shumë tifozëve të futbollit që me 26 mars pas një kohe shumë të gjatë të shohin tribunat e arenës “Todor Proeski” të stërmbushura me tifoz, kjo duke u nisur edhe nga interesimi i jashtëzakonshëm dhe shitja e të gjitha biletave për ndeshjen gysmëfinale të Ligës së Kombeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që duhet të zhvillohet me 26 mars në Shkup.

Mirëpo e njëjta rrezikon shumë që të zhvillohet pa praninë e tifozëve, kjo edhe për faktin se Komisioni për sëmundje infektive gjatë ditës së sotme nga Qeveria e vendit tonë ka kërkuar që të gjitha ngjarjet sportive në dy javët e ardhshme të zhvillohen pa praninë e publikut, derisatë gjitha tubimet e tjera masive, qoftë në ambient të hapur, apo të mbyllur të ndalohen. Pas këtyre rekomandimeve që pritet të pranohen nga ana e Qeverisë, është e qartë se periudha për ndalimin e ndeshjeve sportive pa tifoz, do të jetë përafërsisht deri me 26 mars, datën kur është paraparë të zhvillohet edhe ndeshja e madhe midis Maqedonisë dhe Kosovës.

“Ndalohen të gjitha tubimet masive, qoftë në ambient të hapur apo edhe të mbyllur, të gjitha ngjarjet kulturore në nivel të RMV-së, derisa ngjarjet sportive të zhvillohen pa tifoz” – thuhet në rekomandimin e Komisionit për sëmundje infektive, dërguar deri te Qeveria e RMV.

Një vendim të këtillë pritet që të pranohet edhe nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, të cilët nuk dëshirojnë të rrezikojnë asgjë, edhe pse është evident fakti se futbolli pa tifoz nuk ka atë shkëlqim që duhet ta ketë një ndeshje futbolli. Mirëpo nga FFM thonë se duhet të respektohen të gjitha rekomandimet dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së RMV, edhe përkundër faktit se përfaqësuesja e vendit ndeshjen ndoshta historike për një vend në EURO 2020 do të duhet ta zhvillojë pa futbollistin e saj të 12-të, tifozin.

Leave a Reply