Bujar Islami : Shëndeti në rend të parë, gjërat tjera janë sekondare

Futbolli europian është paralizuar shkaku i pandemisë së Koronavirusit i cili i ka prekur shumë shtete në të gjithë Botën, shkruan “infOSport.mk”.

Kryetar klubesh, futbollistë e trajner janë prekur nga Koronavirusi. Për situatën e krijuar në vendin tonë ka reaguar edhe trajneri i Renovës, Bujar Islami,  i cili thotë se në rend të parë është shëndeti i njerëzve dhe se gjërat tjera janë sekondare.

“Pritnim të ishte një stinor mjaft interesant deri në fund, por situata që ndodhi me “Covid-19”, ndikoi që të gjitha kampionatet përveç në Bjellorusi të ndërpriten. Unë mendoj që do të jetë shumë e vështirë që ky kampionat të mbyllet në mënyrë të rregullt, pasi që situata me koronavirusin vazhdon të përhapet, kështu që ne do të ndjekim udhëzimet nga shtëpia e futbollit në vend dhe UEFA, sa i përket asaj se si do të përfundojë ky stinor. Tani për tani në rend të parë është shëndeti i të gjithëve dhe situata me këtë virus. Gjërat tjera janë sekondare” – u shpreh trajneri i Renovës, Bujar Islami.

Futbollistët e Renovës për të mbajtur formën po vijojnë me stërvitje individuale. Megjithatë kjo nuk është e njëjtë sikur të stërvitesh në grup, thotë Islami, i cili për çdo ditë ju jep udhëzime futbollistëve të tij lidhur me procesin stërvitor.

“Ne po mundohemi që me stërvitje individuale të mbajmë formën e tyre, ku ata për çdo dite marin udhëzime dhe planë dhe programe të hartuara enkas për këtë situatë dhe për këtë moment. Po e përsëris nuk është njëjtë të stërvitesh në mënyrë individuale dhe kolektive. Dallimi është shumë i madh, kështu që për ta kthyer formën dhe për tju përgjigjur sfidave duhen minimum 3-4 javë. Çdo gjë tjetër do të jetë vetëm improvizim, sepse kontinuiteti i proçesit stërvitor veçanërisht në periudhën garuese është lëmi në vete. Të gjithve ju dëshiroj shëndet të mirë dhe sa më shpejtë ta tejkalojmë këtë situatë” – përfundoi Islami.

Leave a Reply