Kërkesa e çuditshme e Cerezos! Atl. Madridi kampion nëse pezullohet Liga e Kampionëve

Numri një i Atletiko Madridit, Enrike Cerezo ka befasuar me deklaratën e tij të fundit, lidhur me trofeun e Ligës së Kampionëve. Skuadra e tij, është një nga katër skuadrat e kualifikuara në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, kompeticion që i ka shkuar shumë afër fitimit gjatë viteve të fundit.

Presidenti i klubit spanjoll, flet për rikthimin e tifozëve në stadiume dhe zgjidhjen që duhet bërë nëse koronavirusi pezullon përfundimisht sezonin e Ligës së Kampionëve, që do të rifillojë në muajin gusht.

Atletiko e tij eliminoi Liverpullin e Jurgen Klop, kampionët e sezonit të kaluar, kështu që ata e meritojnë trofeun sipas presidentit, gjithmonë nëse nuk arrihet dot mbyllja e sezonit në fushën e blertë.

“Sigurisht që ne duam që ndeshjet të zhvillohen me tifozë, por nuk varet nga ne. Vendosin autoritetet shtetërore se kur do të ndodhë rikthimi i tyre në stadium. Mungesa e tifozëve na kushton rreth 40 milion euro humbje. Liga e Kampionëve? Nëse koronavirusi pezullon kompeticionin, kampione duhet të shpallet skuadra që ka eliminuar Liverpullin, skuadrën kampione në fuqi“, – është shprehur Cerezo.

Leave a Reply