Tirana transferon reprezentuesin e Maqedonisë!

Pas Ardit Tolit, skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana, në krahun e djathtë të mbrojtjes për sezonin e ri ka transferuar edhe Kristijan Toshevskin.

Ky i fundit skuadrës nga kryeqendra shqiptare i bashkohet nga rradhët e Vardarit, me të cilën skuadër nuk vazhdoi bashkëpunimin, kjo edhe për shkak krizës financiare që ka kapluar skuadrën shkupjane, ndërsa vetë Toshevski vlerësoi se për momentin, Tirana do të ishte klubi ideal për të, ku përmes paraqitjeve në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, do të mund të merrte sërish ftesën nga ana e seleksionuesit të përfaqësueses së vendit, Igor Angellovski.

“infOSport.mk” një transferim të këtillë kishte paralajmëruar që javën e fundit të muajit të kaluar, ndërkohë tashmë siç raporton “gol.mk”, Toshevski ka pranuar ofertën e Tiranës dhe ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare, me opsion për të rinovuar edhe për një vit tjetër.

Nga tabori i Tiranës ende nuk e kanë konfirmuar afrimin e anësorit të djathtë maqedonas, derisa vetëm një ditë më parë zyrtarizuan Ardit Tolin, që luan në të njëjtin pozicion.

Kështu që të dy do të luftojnë për një vend titullari në krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku Toshevski gjindet më së miri.

26-vjeçari Toshevski me origjinë nga Tetova, karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje me skuadrën e Teteksit, për tu transferuar më pas te Pelisteri, ndërkohë nga janari i vitit 2018-të ishte pjesë e Vardarit.

Ai me këtë skuadër ka zhvilluar gjithsej 57 ndeshje, 22 prej të cilëve edicionin e fundit, ku dhe realizoi 1 gol. Toshevski gjithashtu është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, për të cilën deri më tani ka zhvilluar 8 ndeshje, ndërsa gjithashtu ishte pjesë e përfaqësueseve zinxhir të vendit.

Ai në Ligën e Parë Futbollistike numëron plotë 116 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.

Leave a Reply