Gjilani kërkon mesfushorin me përvojë të Tiranës!

Drejtuesit e Gjilanit, pjesë e së cilës skuadër është edhe tetovari, Muhamed Useini, vazhdojnë të punojnë vrullshëm rreth transferimeve të reja në skuadër gjatë këtij afati kalimtarë të verës.

Sipas informacioneve që vijnë nga Kosova, Gjilani, që edicionin e kaluar e mbylli në pozitën e dytë, menjëherë pas Dritës së Ardian Nuhiut, ka nisur bisedimet me futbollistin e Tiranës, Edon Hasani.

Një interesim të tillë ka konfirmuar edhe vetë futbollisti shkodran, mirëpo duke theksuar që ende nuk ka asnjë marrëveshje me skuadrën kosovare.

“Po, kam pasur bisedime me Gjilanin por nuk kemi vendosur akoma asgjë”, – ka thënë Hasani për “Gazetën Olle”.

“I kam edhe dy opsione për të shkuar jashtë, andaj aktualisht jam në pritje”.

“Gjilani ka shprehur interesim konkret, por tani është afati kalimtar dhe është normale që të kemi bisedime”, – ka shtuar Hasani.

Ish futbollisti i Vllaznisë dhe Kukësit këtë edicion fitoi titullin e kampionit me Tiranën, për të cilën skuadër zhvilloi 23 ndeshje, duke regjistruar edhe 7 gola dhe 2 asistime.

Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare rreth realizimit eventual të këtij transferimi, ndërkohë nga tabori i Gjilanit kanë konfirmuar rinovimin e kontratave me Gerhard Prognin dhe Fiton Hajdarin.

Leave a Reply