Hidhet shorti i sezonit 2020/21 në Bundesligë, Bajerni mbrojtjen e titullit e nis kundër Shalke 04

Gjatë ditës së sotme është hedhur shorti për ndeshjet e sezonit 2020/2021 në Bundesligë, aty ku skuadra kampione në fuqi, Bajerni i Munihut, mbrojtjen e titullit do ta nis nga shtëpia kundër Shalke 04.

“Deutsche Fussball Liga” publikoi kalendarin e plotë si në Bundesligën e parë ashtu edhe në kampionatin gjerman të kategorisë së dytë. Të dyja ligat do të startojnë rreth mesit të muajit shtator dhe edicioni i 58 i Bundesligës do të nisë rrugëtimin më datë 18 shtator për të ulur perdet më 22 maj.

Një fillim i tillë kaq i shtyrë në kohë vjen në mënyrë të kuptueshme për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjithsesi futbolli përfaqëson një ndër sportet më të dashur për popullin gjerman dhe mesi i muajit shtator mund të konsiderohet edhe si periudha më e përshtatshme, duke patur parasysh impenjimet e Bajernit të Munihut dhe Lajpcigut në Ligën e Kampionëve si dhe Leverkusenit në Liga Europa, por gjithashtu edhe faktin që edicioni i ardhshëm do të startojë dy muaj e gjysmë pas përfundimit të sezonit të shkuar.

Sipas shortit të publikuar rekordmenët e futbollit gjerman, që kanë fituar rresht tetë edicionet e fundit të kampionatit, do ta çelin sezonin e ri të Bundesligë pikërisht në Bavari, përballë Shalke 04.

Java e parë do të zhvillohet nga data 18 – 21 shtator dhe në javën hapëse të sezonit spikat gjithashtu edhe derbi i dy Borusiave, pra Dortmund – Gladbah, që do të zhvillohet në “Sinjal Iduna Park”.

Përsa i përket pjesës tjetër të kalendarit në Bundesligë java e parë ofron edhe  takimet Lajpcig-Majnc, Volfsburg – Leverkusen, Ajntraht Frankfurt-Arminia Bilefeld, Union Berlin – Augsburg, Këlln – Hofenhajm, Verder Bremen-Herta Berlin dhe Shtutgart – Frajburg.

Sipas kalendarit klasikja Dortmund-Bajern Munih do të zhvillohet javën e shtatë dhe si kohë ky duel do të mbahet në një nga datat, 6, 7 ose 8 nëntor në “Sinjal Iduna Park”.

U përcaktua gjithashtu që edhe Superkupa e Gjermanisë ku do të përballen Bajerni i Munihut dhe Dortmundi të zhvillohet më datë 30 shtator në stadiumin “Allianc Arena”.

Leave a Reply